




Nga Brunilda Lahe – Aktualitet
“Living” për mua është të udhëhiqesh nga pasioni, dëshira e dashuria për të jetuar. Gjithçka është një cikël ku duhet të lësh disa gjëra të shkojnë, teksa mirëpret të reja. “Living” të vendos ty, veten tënde në qendër të botës; përmbushja personale është çelësi i një jete të qëllimtë e të përmbushur. Është marka që më ndryshoi këndvështrimin për shumëçka në zgjedhjet që bëj, vendimet që marr. Është vendi ku kam njohur njerëz të mrekullueshëm që dikur kolege, sot mikesha për kokë.
Më mirë si e ftuar e revistës “Living” apo si gazetare?
Të jesh e ftuar apo gazetare janë dy gjëra me përgjegjësi të ndryshme, por njësoj entuziazmuese për mua. Në revistën “Living” kam disa nga kujtimet më të çmuara të jetës. Me ekipin e kësaj reviste kam “dhuratë” disa nga shërbimet fotografike më të bukura e të pazakonta. Shumë vite më parë, grupi i “Living” erdhi në Përmet, në shtëpinë e prindërve të mi, për një reportazh për traditat e qytetit. Atëkohë ishte e rrallë që një staf reviste të bënte një rrugë të largët, deri në Përmet, për të realizuar foto e reportazh, por “Living” kishte vendosur standardin e ri në medien e shkruar, me foto përtej kornizës, që tregonin stil jetese të vërtetë. Fotot me mamin, babin, motrën e mbesën janë më të bukurat që kam prej asaj kohe. Santana Çomora më ka bërë të vendos paruke, të bëhem bionde, më ka veshur me një stil aq të ndryshëm nga profili që kam krijuar në publik e më ka bërë të besoj te fuqia e transformimit, qoftë edhe për një shërbim fotosh. Përmes revistës “Living” kam prezantuar të voglën time, Hanën në publik. E kujtoj në detaje gjithçka që ka ndodhur atë ditë.
Si gazetare e revistës ndiej se jam rritur pas çdo numri prej personazheve që kam njohur. Më kanë pasuruar me botën e tyre të rrallë dhe këndvështrimin pozitiv, për të mos reshtur së kërkuari e gjeturi veten. Si gazetare do të veçoja kopertinën e realizuar në Stamboll me “show-girl”-in Almeda Abazi dhe aktorin turk Tolgahan Sayisman. Fakti që udhëtuam aq larg për këtë kopertinë dhe duke ditur simpatinë e çiftit në publik ndjeva një përgjegjësi të madhe për të shkruar e prezantuar më të mirën. Pa dyshim, personalisht, si personazh, kopertina me Hanën është më e dashura për mua.




